Trajneri i përfaqësueses së Zvicrës, Vladimir Petkoviç, shpalli, ditët e fundit, listën me emrat e 26 lojtarëve, te shërbimet e të cilëve ai ka në plan të mbështetet në Kupën e Botës Rusi-2018 (14 qershor – 15 korrik). Nga kjo listë do të hiqen tre lojtarë, më 4 qershor, kur Petkoviçi do të njoftojë listën përfundimtare të “udhëtarëve” për në Rusi.
Sidoqoftë, midis futbollistëve që nuk do ta përfaqësojnë Zvicrën në Rusi është futbollisti Admir Memedi që hoqi dorë vetë nga pjesëmarrja në kombëtaren zvicerane. Sulmuesi shqiptar me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë tha se ai nuk e ndjen veten 100 për qind të gatshëm dhe se ai nuk do që t’i zejë vendin ndonjë futbollisti tjetër që është më i gatshëm sesa ai.
“Ky është një vendim që unë e kam marr vetë pa u ndikuar nga askush, e kam marr në kokën time dhe jo me zemër. Unë kam mendimin se, momentalisht, nuk mund t’i sjellë ekipit atë që ai pret nga unë, sidomos, në një event të tillë si kampionati botëror”, vuri në dukje Memedi që me përfaqësuesen e Zvicrës ka zhvilluar 49 ndeshje, në të cilat ka shënuar shtatë gola.
Sfidanti.al