33 vite dëshpërim dhe turp nga “Hejseli”: Asnjëherë më ashtu!

Kanë kaluar plot 33 vite, por dëshpërimi është ende shumë i madh. Ajo do të duhej të ishte një finale e madhe. Nga njëra anë, ndodhej Liverpuli, kampion aktual i Evropës, me lojtarë si Dallgllish, Rash, Grobelar…, ndërsa, nga ana tjetër, Platini, Rosi, Tardeli, Bonjek… Ishte data 29 maj 1985, do të luhej finalja e Kupës së Kampioneve në “Hejsel” të Brukselit.

Të gjithë prisnin fillimin e finales së madhe dhe, atëherë, ndodhi ajo çmenduri e pazakontë. Tifozët e  Liverpulit donin të hakmerreshin për pritjen e keqe që u ishte rezervuar atyre, një vit më parë, në Romë. Përplasjet, në fakt, filluan që në rrugët e Brukselit, ndërkohë që “larja e hesapeve” vazhdoi edhe në tribunat e stadiumit. Në fillim, u lëshuan sende të forta në drejtim të tifozëve kundërshtarë, por, më pas, tifozët e Liverpulit e depërtuan gardhin mbrojtës që ndante dy kampet kundërshtarë. Si pasojë, ndodhi një stampedo e vërtetë që mori përpara tifozët, më shumë të Juventusit, ndërkohë që muri mbajtës u ça dhe njerëzit filluan të zhdukeshin, të binin dhe të shkeleshin me këmbë nga të tjerët, duke shkaktuar kështu një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e futbollit.

“Në dhomën tonë të zhveshjes hyri shefi i policisë së qytetit dhe na njoftoi për sa kishte ndodhur. Ai nguli këmbë se ndeshja duhet të zhvillohej. Juventusi pranoi, por ne nuk deshëm të luanim, si mund të mendoni që të luani futboll, kur njerëzit atje po vdesin”, kujton kapiteni i atëhershëm i Liverpulit, Fill Nil, atë ndeshje, të cilën anglezët, edhe sot, e karakterizojnë si “ditën, kur vdiq futbolli”!

Juventusi e fitoi atë ndeshje 1-0 me gol të shënuar nga Mishel Platini me penallti të paqenë, duke pasur parasysh së faulli ndodhi jashtë zonës 16-tshe, në min. e 56-të.

Sfidanti.al