Diçka që ndoshta në Europë mund të mos ndodhte kurrë. Askush nuk e kuptoi se përse autoritetet shëndetësore braziliane ndërhynë pas fillimit të ndeshjes Brazil-Argjentinë për Kupën e Botës, duke detyruar ndërprerjen dhe pastaj braktisjen e saj. Zyrtarët brazilianë pretenduan se deshën të nxirrnin nga fusha 4 lojtarë argjentinas, Lo Selso, Romero, Buendia dhe Emiliano Martinez për shkelje të protokollit ndaj Kovidit. Gjithsesi, tabloidi “Deili Meil” e dha lajmin që në mëngjesin e 4 shtatorit në Europë, pra shumë orë përpara nisjes së ndeshjes.
Argjentinasit protestuan, dhe ndeshja nuk mundi të vazhdonte. Brazili rrezikon një gjobë të paktën 10 000 franga zvicerane, si vendi organizator, ndërsa ndeshja mund të përsëritet, por edhe mund të jepet 3-0 në dëm të ekipit që do të cilësohet që e braktisi. i mbetet FIFA-s të vendosë nëse fajtorë ishin brazilianët për atë që ndodhi, apo argjentinasit që u larguan nga fusha.
“Brazili është kampion bote i qesharakes”, – titullon e përditshmja argjentinase, “Ole”, që thekson fjalët e trajnerit Skaloni se nuk kishin pasur lajmërim për atë që do të ndodhte. Po ashtu, shton se arbitri ka deklaruar se e ndërpreva ndeshjen për faj të atyre që hynë në fushë. “Argjentina shpreson që FIFA t’i japë fitoren në ndeshjen e skandalit”, shkruan gazeta tjetër e Buenos Airesit, “Klarin”. “A Tarde” në Brazil shkruan se “klasikja u ndërpre për mosrespektim të protokolleve”, duke u përpjekur t’ia hedhë fajin Argjentinës.
Federata Braziliane akuzon autoritetet e saj shëndetësore. “Jemi plotësisht të habitur nga momenti që zgjodhën autoritetet për të ndërhyrë, me ndeshjen që kishte nisur, – shkruhet në deklaratën zyrtare, – Ata mund të kishin vepruar në një mënyrë tjetër, në një moment tjetër dhe papritur ditën e ndeshjes apo fillimin e saj”. Argjentina u largua nga Brazili, ndonëse 4 lojtarët cilësohen si “të debuar” meqë ishin akuzuar për shkelje. Pritet vendimi i FIFA-s për fatin e kësaj ndeshjeje.
Sfidanti.al