Për kualifikimin nuk bëhet fjalë, por objektiva ende ka. Kosova nuk është nga ato ekipe që janë mësuar të jenë shpesh në fazat finale të turneve të mëdhenj, ndaj edhe barazimi 1-1 me Greqinë në Prishtinë mund të quhet një rezultat i mirë. U synua tjetër gjë, u kërkua fitorja pas suksesit minimal në Gjeorgji, por në fund pati çlirim që u shmang humbja. Greqia nuk i kërcënoi aspak “dardanët” për 45 minuta, por kur e krijoi rastin, arriti të shënonte. Autor Tasos Duvikasi pas topit të marrë nga kapiteni Tasos Bakasetas.
Ekipi i trajnerit Bernar Shaland ushtroi presion, duke detyruar kundërshtarin të mbyllej në mbrojtje, ndërsa duhet theksuar se kjo nuk është Greqia që doli kampione e Europës në 2004. Vendasit gjuajtën shumë më tepër drejt portës dhe patën 6 goditje në kuadrat ndaj vetëm 1 të grekëve, por rastet e rrezikshme ishin të pakta. U desh të vinte minuta e dytë shtesë që Vedat Muriqi të siguronte të paktën pikën duke shfrytëzuar pikën e tij të fortë, lojën në ajër. Të dy ekipet do ta kenë të vështirë të kapin ata që janë sipër tyre në grupin B, pasi Spanja ka 10 pikë në 5 ndeshje e Suedia 9 pikë të plota në vetëm 3. Objektivi i vetëm për “dardanët” mbetet arritja e vendit të tretë, për të lënë pas Greqinë e Gjeorgjinë, diçka që sërish do të ishte pozitive. Nuk duhet harruar se Kosova arriti fitoren e parë në histori në eleminatoret e Botërorit pak ditë më parë në Tbilisi ndaj Gjeorgjisë.
Sfidanti.al