Kurrë ndonjëherë një skuadër nga Ishujt Faroe nuk ka arritur kaq larg, dhe tani është vetëm një hap larg fazës së grupeve në Ligën e Europës. Kjo skuadër quhet KI Klaksvik. Një skuadër shumë e njohur në vendin më verior të Europës, 18 herë kampione dhe 6 herë fituese e Kupës, do të ndeshet me Dandalkun (Dundalk) të Irlandës për një vend në fazën e grupeve.
Mes lojtarëve të ekipit është një gjahtar balenash, djali i një deputeti dhe Alesio Hyseni, shqiptari i lindur në Itali, në Kastilione të Lagos dhe rritur në Peruxha. Duhet ta mbani mend lojtarin që luajti për Flamurtarin dhe Partizanin, por që pësoi dëmtime dhe më pas u dha hua në Ishujt Faroe. Kartonin e Hysenit e ka ende Partizani.
Shqiptari luan në ekipin kampion të vendit, ndërsa në 2020 ka shënuar një gol e ka dhënë njqë asist. Klaksviku eleminoi Sllovanin e Bratislavës në Ligën e Kampionëve (sllovakët u tërhoqën nga frika e koronavirusit), dhe pastaj u mund nga Jang Bojsi, kundërshtari i Tiranës. Më pas, fitoi 6-1 ndaj Dinamos së Tbilisit në turin e tretë eleminator të Ligës së Europës, dhe tani do të luajë këtë të enjte në fushën e Dandalkut të Irlandës (Dundalk), e nëse ia del shkon në fazën e grupeve në Ligën e Europës. Një klub me buxhetin 1 milionë euro, me një stadium me vetëm 520 vende të ulura dhe 1 500 vende në këmbë synon të bëjë mrekullinë.
Sfidanti.al