Fytyra e errët e sportit, Kovingtoni-racisti i tërbuar që nuk flaket tej nga UFC-ja!

Një fjalë e urtë franceze thotë se “nëse kupton gjithçka, justifikon gjithçka”, diçka që psiko-kriminalistika e ka ngritur në nivelin e asaj që nuk ekziston kriminelë, por të sëmurë apo të indoktrinuar. Një i tillë është Kolbi Kovington, një luftëtar i arteve të përziera marciale (MMA), pjesëtar i Botërorit UFC. Një sportist i fortë, me 16 fitore e 2 humbje, amerikani 32-vjeçar është kthyer në 3 vitet e fundit në një personazh agresiv dhe përçarës në SHBA.

Ai luftoi fundjavën e kaluar me afro-amerikanin Tajron Udlei, përkrahës i lëvizjes Jetët e Zezakëve Vlejnë (BLM), duke arritur fitore, ndërsa përpara ndeshjes ai e quajti kundërshtarin një “komunist, marksist”, ndërsa njerëzit e BLM-së i quajti terroristë dhe kriminelë. Më tej, ai postoi një foto të tij duke goditur kundërshtarin, me komentin “kështu bëhet fytyra ime kur jam gati t’i jap një simpatizanti të terrorizmit të brendshëm një leksion të vendosmërisë amerikane”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Kovingtoni u mund nga kampioni në fuqi i botës i peshave të mesme, Kamaru Usman, ndërsa pas ndeshjes me Udlein, Usman e intervistoi duke e pyetur për telefonatën që bëri me presidentin amerikan, Tramp. “Po ju çfarë telefonate morët, – u përgjigj Kovingtoni me përbuzje, – morët ndonjë telefonatë nga fisi yt i mjerë? Të thanë disa sinjale me tym? Ti je një shaka, një lajm i rremë”.

Ja, kështu qendrojnë punët me Kovingtonin, njeriun që ka marë rolin e patriotit që do të shpëtojë Amerikën nga terroristët e brendshëm e të jashtëm. Gjithsesi, edhe më interesant është rrëfimi i tij sesi i hyri kësaj rruge në 2017. “Ndeshesha në Brazil dhe nga UFC-ja kisha marrë vesh se do të më braktisnin, se nuk më quanin tërheqës, – u shpreh ai në një intervistë, – kur fitova ndeshjen me brazilianin (Demian Maia), u ktheva nga publiku dhe i thashë se “ju jeni një tufë kafshësh të egra, Brazil ti je një shtet i dështuar”. Kjo video u bë kaq e shikuar saqë UFC-ja deklaroi se “ne duhet ta mbajmë këtë djalë, sepse ai ka shumë sukses mediatik”. Kjo është arsyeja që Dejni Uajt, presidenti i UFC-së, mbyll veshët ndaj atyre që thotë. Për këtë sport profesionist vlejnë paratë e fituara, dhe jo retorika që sjell përçarje dhe urrejtje.

Sfidanti.al