Edhe pse janë ndaluar bastet me forcen e ligjit , ajo që po ndodh me bojkotin e futbollit, i ngjason një basti të madh midis Qeverisë dhe “qeverisë” së futbollit. Dhe kur bëhet fjalë për një skedinë me peshë , ku loja nuk duket dhe aq e shitur, pyetja është tunduese: do të dorëzohet e para FSHF-ja apo do të tërhiqet Shteti, pasi në lojë të futen edhe “ustallarët” e UEFA-s? Sido që të shkojë “derbi” i pushteteve ,s’ka shpërblim më të keq për këtë dynja futbolli, që pasi humbi besimin duke boshatisur stadiumet,( për shkak të një virusi moral dhe jo kimik), të humbasë edhe ekzitencën e vetë lojës.
Superliga ka tre javë që mbahet e vdekur, dhe askush nuk e di se sa do të zgjasë funerali, por një gjë dihet me siguri: futbolli nuk luhet për tifozët, por për “lojtarët” që komandojnë fijet në prapaskenë. Fakti që bojkotin e fabrikon FSHF-ja, ia shet të “drejtën eskluzive” Ligës së Futbollit , dhe klubet e shkreta, të cilat fukarrallëku i bën më shumë të aktrojnë sesa të luajnë , janë gati ta kalojnë gjithë sezonin në bojkot meqë e qajnë rolin e devotshëm te viktimës..
Duket si lajthitje, por ky sezon edhe nëse zhytet në një bojkot edhe të thellë, prapëseprapë, do të ketë një fitues në fund. Ne pa futbollim mund të jetojmë, por pa fitues as nuk mendohet. Jemi mësuar gjithë këto vite me “besa-besën” e fitimit të trofeve dhe, sipas logjikës, drejtuesit e klubeve që luftuan më shumë për t’i dhënë jetë bojkotit, do të rivalizojnë për titullin e një kampionati, që u luajt në prapaskenë e jo në skenë. Dhe çfarë skene? Ju kujtohen grevat e urisë që kurdsinin Partitë politike nëpër çadra, ku disa shtonin edhe kilogramët, edhe ky bojkoti i Partisë së futbollit, pritet që shefat vetë të majmen, kurse shumica, pra klubet, të hollohen edhe më shumë, tamam si ato modelet me anoreksi, që i mbajnë në këmbë për të thënë se janë më shumë gjallë se vdekur…
Sfdanti.al