Vedat Muriqi pritet si hero tek Lacio, sulmuesi i Kosovës gati të “pushtojë” Serinë A!

U nis nga Turqia si një hero. Vedat Muriqi u përcoll siç i takon një ylli ndërsa mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar “Ataturk” të Stambollit për fluturimin me destinacion Romën. Sulmuesi i Kosovës falenderoi Fenerbahçen për sezonin e shkëlqyer që pati në Superligën e Turqisë, e po ashtu pati fjalë me vlerësim të lartë për klubet e tjerë me të cilët luajti në vendin euro-aziatik, si Giresunspor, Gençlerbirligi e Rizespor.

Pak orë më vonë, shqiptari 26-vjeçar nga Kosova mbërriti në Aeroportin “Leonardo Da Vinçi” në Fiumiçino të Romës, ndërsa do të bashkohet me Lacion. Muriqi mbërriti në selinë e klubit kryeqytetas ku u takua me zyrtarët dhe pozoi me shallin bardheblu. Ai do të jetë një tjetër shqiptar, përveç drejtorit Igli Tare e portierit Tomas Strakosha, ndonëse nga Kosova, dhe këtë të hënë do të kalojë provën mjekësore.

Kontrata e Muriqit është 5-vjeçare dhe Lacio e mori pas paraqitjeve të tij shumë të mira me Kosovën, me Fenerbahçen me me skuadrat e mëparshme. Italianët pranuan të paguanin rreth 20 milionë euro për kartonin e tij, përfshi edhe shpërblime, ndërsa rroga e sulmuesit, bashkë me bonueset arrin në 2.5 milionë euro. Ai vlerësohet si një përforcim i madh për Lacion dhe presidenti Klaudio Lotito ka marrë vlerësime të larta për një transferim të tillë.

Sfidanti.al