Ai ka qenë pjesë e “Skuadrës së të Pathyeshmëve”. Robert Pire është në zemrat e tifozëve të Arsenalit, dhe ish-futbollisti i shkëlqyer francez, mendoi t’u jepte zemër “topçinjve” të sotëm me një vizitë në seancën e tyre të stërvitjes. Mesfushori bëri shaka me lojtarët e Arsenalit, mes të cilëve edhe me kampionin e botës, Shkodran Mustafi. Granit Xhaka, po ashtu, u duk në formë, ndërsa bënte “gallatë” me portierin Ospina, që pritet të jetë titullar këtë fundjavë në ndeshjen e Kupës në fushën e Preston North Endit.
Londinezët ia dolën mirë të shpëtonin nga humbja në fushën e Bornemuthit duke barazuar 3-3, por njëri prej lojtarëve aktualë, Rob Holding, u bëri thirrje që të përgatiteshin për një betejë në fushën e Prestonit. “Kam luajtur në stadiumin e tyre kur isha tek Boltoni, dhe ndeshja ishte një luftë, – tha ai, – Preston është një skuadër shumë e fortë fizikisht, dhe luan me topa të gjatë dhe të lartë, ndaj u them shokëve të mi që të përgatiten për një betejë, sepse do të jetë e tillë”. Për Arsenalin pritet të kthehet në ekip, ish-sulmuesi i Mançester Junajtidit, Dani Uelbek. Arsen Venger, ndërkaq, e ka quajtur Kupën e Anglisë “një objektiv shumë të rëndësishëm” dhe shpreson ta fitojë për herë të shtatë.