Gasli fiton për Alfa Taurin, 4371 ditë pas triumfit të Fetelit në 2008!

Kur thua Çmimi i Madh i Italisë dhe kur përmend fjalën “Monzë”, të kujtohet Ferrari me traditën e tij të madhe, ose ndoshta Ljuis Hamiltoni e Maks Verstapeni. Këtë të diel, këto emra le t’i lemë mënjanë dhe të flasim për një francez si Pjer Gasli, dhe për skuadrën Alfa Tauri. Këta “liliputë” të Formula 1 arritën një fitore të pamendueshme në Monzë, edhe pse kjo ndodhi më së shumti për shkak të makinës së sigurisë dhe ndërprerjes së garës pas përplasjes së rëndë të Lëklerkut.

Gjithsesim, le t’i heqim kapelën Gaslisë, pilotit që i dha më në fund Francës një arsye për të qenë krenare në Formula 1, shumë kohë pas Zhil Vilnëvit, Alen Prostit dhe Zhak Vilnëvit. Po ashtu, ai i dha një kënaqësi të madhe Alfa Taurit që fitoi një garë për herë të parë pas 4371 ditësh, që nga viti 2008 kur këtë e bëri Sebastian Feteli, e madje pikërisht në Çmimin e Madh të Italisë. “Nuk kam fjalë, – tha Gaslia, – kjo skuadër ka bërë kaq shumë për mua, më dha mundësinë të jem në Formula 1, të fitoj podiumin e parë, dhe tani garën e parë. Nuk arrij ta falenderoj aq sa duhet”.

Kjo e diel ishte sërish ditë e zezë për Ferrarin, me të dy pilotët që u përplasën e dolën nga gara, madje me Lëklerkun që thuajse rrezikoi jetën. Ljuis Hamilton, që ishte i pari deri në makinën e sigurisë, dhe që doli i pari në prova, zbriti në vend të fundit pas një dënimi të organizatorëve, dhe arriti të rikuperonte deri në vendin e 7-të. Garë e keqe për Verstapenin që doli jashtë dhe Valteri Botasin që përfundoi i pesti. Renditja e pilotëve: Hamilton 164 pikë, Botas 117, Verstapen 110. Renditja ekipore: Mercedesi 281 pikë, Red Bulli 158, Meklareni 98.

Sfidanti.al