“Kurë holandeze” për Barcelonën, “shëruesi” i krizës quhet Kuman!

Jo Ksavi Hernandez, as Maurisio Poçetino. Për një arsye ose një tjetër, në “Kamp Nou” kanë vendosur të zgjedhin një trajner holandez, mishërues të stilit të “mëkuar” në klub nga i paharruari Johan Krujf. Ronald Kuman do të caktohet këtë javë në vend të Kike Setienit të shkarkuar, ndërsa 57-vjeçari do të largohet nga detyra e tij në kombëtaren e Holandës, pa e përmbushur misionin “Euro 2020 (1)”.

Kuman cilësohet si më i mundshmi dhe më i përgatituri nga ata që mund të afrohen, për më tepër që e njeh mirë Barcelonën pasi ka luajtur për 6 vjet me fanelën “blaugrana”, duke fituar 4 tituj kampion, një Ligë të Kampionëve dhe Kupën e Mbretit, në epokën e “Skuadrës Ëndërr” të drejtuar nga Krujfi. Ai ishte edhe dy vjet ndihmëstrajner, në 1998-2000, në krah të Luis Van Galit. Me Holandën, Kumani tregoi aftësi si trajner i futbollit spektakolar dhe fitues, duke kthyer në shina një kombëtare që kishte qenë në “rënie të lirë”. Nuk dihet nëse ky vendim do ta bindë Lionel Mesin që të qendrojë në klub.

Sfidanti.al