Kur ishte në kombëtare nuk kishte kohë të merrej me botën rreth e përqark, sepse ishte tepër i zënë me sherret që kishte me futbollistët e tij. Rajmond Domenek, ish-trajneri i Francës në Botërorin 2006, e tregoi veten disi si “Shaban Qosja”, pasi ngacmoi një gjë që as që mund të mendohej se mund të ngacmohej, pikërisht Atalantën. Domeneku vlerëson se trajneri i Paris SG, Tomas Tuhel, e fitoi betejën personale me Xhampiero Gasperinin, pasi ekipi i tij e eleminoi atë bergamask.
“I lumtë PSG-së për këtë emocion të bukur, dhe faleminderit Gasperinit për zëvendësimet që bëri në fund, – shkruajti ai në Tuiter, – siç u pa, legjenda që trajnerët italianë janë më të mirët taktikisht, mbeti e tillë edhe këtë herë. Tuheli ia doli shumë më mirë”. Domeneku ndoshta harron se Tuheli pati në dispozicion një superskuadër, të krijuar me qindra milionë euro, ndërsa Gasperini një “ekip liliput” të sajuar me lojtarë të thjeshtë, dhe që u bënë historia më e madhe e futbollit europian këtë sezon.
Sfidanti.al