Granit Xhaka po cilësohet nga shtypi, si një nga blerjet më të gjetura të trajnerit Arsen Venger, por jo të gjithë janë të gatshëm të thurin vetëm elozhe. Legjenda e Arsenalit, Tieri Henri ka kritikuar tre futbollistë të “The Gunners”, për paraqitjen e tyre të së martës mbrëma kundër Bournemouth. Një prej tyre është mesfushori shqiptar Granit Xhaka, i cili shkaktoi edhe një penallti, kur vendasit kryesonin 1-0.
“Nuk e di se çfarë është duke bërë Xhaka? Ishte një përpjekje e mirë e tij për t’u kthyer mbrapa, por më pas, ai duhet ta ngadalësonte shpejtësinë dhe ta kontrollonte situatën, në vend se të vraponte drejt kundërshtarin”, ka thënë Henri. Francezi po ashtu ka pasur kritika edhe për mesfushorin tjetër, Aron Ramsej dhe mbrojtësin e krahut, Hektor Belerin. Ndërkohë që trajneri Venger e cilësoi ndërhyrjen e Granitit, si mjaft të lehtë për të qenë 11 metërsh.