Ndoshta edhe ai vetë nuk e beson këtë që thotë, ndonëse për sezonin që po mbyllet sulmuesi polak ka qenë një sulmues i madh, më i miri nga të gjithë. Me 53 gola në 44 ndeshje nuk ka lojtar tjetër që të krahasohet me Levandovskin kur vjen puna për tundjen e rrjetës, madje ai ka dhënë edhe asiste, ndërsa Bajerni ka fituar me ndihmën e tij Bundesligën e Kupën e Gjermanisë, si dhe cilësohet favorit për Championsin. Lotar Mateus, ish-kapiteni i Gjermanisë dhe Bajernit, nuk e kursen shigjetën e tij. “Për mua, lojtari më i mirë në botë për momentin është Levandovski, jo Mesi, ai e ka zëvendësuar kapitenin e Barcelonës në këtë renditje”, – thotë Mateusi. Mesi, nga ana e tij, ka shënuar 31 gola në 43 ndeshje, shifra më e ulët e tij në më shumë se një dekadë. Përsa i përket asisteve, Mesi pati 25, ndërsa Levandovski vetëm 8. Faqja zyrtare e Bundesligës bën një krahasim dhe nxjerr si përfundim se “Levandovski ka ndryshuar pozicionin duke luajtur më pranë portës, ndërsa Mesi po luan më larg, ndaj shënon më pak”.
Sfidanti.al