Interi në gjysmëfinalen europiane, por Konte kënaqet vetëm me trofe!

Është mësuar të fitojë, dhe nuk i pëlqen kur gjërat lihen në mes të rrugës. Antonio Konte u pa duke kafshuar thonjtë gjatë ndeshjes Inter-Leverkusen, fituar 2-1 nga skuadra e tij që arriti në gjysmëfinale të Ligës së Europës, por duke qenë gjithnjë në tension. Stres i madh për golin që shkurtoi diferencën në 1-2, po ashtu për dy penallti të dhëna për italianët dhe të hequra më pas, nga teknologjia. Në Dyseldorf ishte mbrëmja e Barelës dhe e Lukakut, autorë të golave, si dhe e Lautaro Martinezit që luajti shumë mirë, po ashtu e Eriksenit që shkëlqeu pas pushimit. Interi arriti për herë të parë në një gjysmëfinale europiane që nga viti 2010, kur fitoi Championsin me Murinjon, dhe në Ligën e Europës për herë të parë që nga viti 2002. Për gjysmëfinalen, kundërshtarin do ta njohë pas ndeshjes Shahtar Donjeck-Bazel. “Jam i lumtur për fitoren, por vuajtëm më shumë sesa duhet, – tha Konte më pas, – e merituam, por falëm shumë dhe kjo nuk duhet të ndodhë më”.

Sfidanti.al