Arbitri Cvajer, dëmtimi i Dibalës, e ardhmja e CR7-ës, sa halle tek Juvja!

Për trajnerin Mauricio Sarri mund të ketë një vazhdim, sidomos pas deklaratave të drejtuesit të lartë, Paratiçi, që deklaroi se “tekniku nuk gjykohet nga një ndeshje e vetme”. Ka të drejtë, sepse Juventusi vërtet u duk më dobët fizikisht sesa Lioni, por francezët u ndihmuan dukshëm nga gjyqtari gjerman Cvajer, që dha penallti të paqenë kundër italianëve, dhe nuk u konsultua as me VAR-in. Më pas, ai dha penallti të paqenë edhe për Juven, por kur Lioni kryesonte 1-0.

Eleminimi në të tetat e finaleve ishte një goditje e rëndë për “Zonjën e Vjetër”, që vjet arriti deri në çerekfinale, dhe sidomos rëndon shumë për Kristiano Ronaldon. Portugezi bëri gjithçka, shënoi dy gola (të dytin shumë të bukur nga largësia), duke thelluar rekordin personal në Champions, e duke arritur në 48 gola këtë sezon. Nuk mjaftoi dhe CR7-ta mund të mendojë vërtet të shkojë tek Paris SG sezonin e ardhshëm. Lajmi tjetër i keq ishte dëmtimi i dytë për Dibalën, qëhyri në lojë i dëmtuar, dhe luajti vetëm 15 minuta. Më keq se kaq, nuk mund të bëhej për Juventusin.

Sfidanti.al