“Getafe ka bërë të vuajnë skuadrat më të mëdha dhe e dimë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”. Këto janë fjalët e Antonio Kontes në prag të rikthimit të Ligës së Europës, ku Interi i tij do të duhet të përballet me spanjollët. Jo vetëm kaq, por Konte duhet të përballet edhe me problemet në klub, që ai i acaroi vetë duke theksuar hatërmbetjen e fortë ndaj drejtuesit Marota. Gjithsesi, tek Interi e dinë se Konte është një fitues dhe se nuk do të jetë e lehtë e ardhmja pa të. Tifozët ua rikujtuan duke theksuar se janë në krahun e trajnerit, dhe drejtuesit e lartë patën një përballje sy më sy me teknikun. Me gjasë, kanë arritur një akord ku Konte të ketë më shumë mbështetje, dhe të mos kritikojë klubin në të ardhmen. Sidoqoftë, e ardhmja kalon nga Getafe, dhe nga Liga e Europës, duhet fituar kjo që tek zikaltërit të besojnë më shumë se mund të jenë në majë të Italisë dhe të Europës. “Të fitosh të ndihmon që të fitosh”, – është aksioma që thotë Konte.
Sfidanti.al