Julian Draksler u prezantua tek Paris SG dhe tifozët francezë shpresojnë që talenti gjerman t’i japë një kthesë sezonit të vështirë të kampionëve. Lojtari ofensiv 23-vjeçar u mor për 40 milionë euro nga Volfsburgu, dhe parizienët mposhtën konkurrencën e fortë nga Premier Liga, të udhëhequr prej Arsenalit.
“U bashkova me shumë gëzim dhe me padurim me Paris SG, – u shpreh lojtari i kombëtares gjermane, – për herë të parë në karrierën time, unë do të kem mundësi të njoh një vend tjetër, një kampionat tjetër dhe unë jam shumë krenar që e hodha këtë hap”.
Draksler cilësohet si një nga talentet më të rëndësishëm europian të momentit, dhe PSG nuk deshi ta humbiste për asnjë arsye. Trajneri Emeri e kërkoi me ngulm dhe pronarët e siguruan kartonin e gjermanit që në ditët e para të fazës së transferimeve. Paris SG po kalon një sezon aspak të lehtë, pasi është lënë prapa në kampionatin francez nga skuadra të tjera si Nisa apo Monako.
Emeri, më në fund, do të ketë një lojtarë të ri dhe të talentuar, që është i stabilizuar në kombëtaren e Gjermanisë, me të cilën ka luajtur 27 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola. Ai ishte pjesë e ekipit që u shpall kampion i botës në Brazil në 2016. Trajneri Emeri do të ketë mundësi ta vendosë Drakslerin në krah të yjeve të tjerë si Verrati apo Kavani, me shpresën për sukses në ligën franceze dhe në Champions.