Është e shkruar fort, jo “në akull”. Është e gdhendur në muret prej guri të “kullës” juventine, që lojtarët dhe stafi teknik duhet të mendojnë gjithnjë vetëm për suksesin, duhet të jenë të uritur e të mos kënaqen kurrë. Paulo Dibala e konfirmon leksionin që e ka mësuar këta vjet, ndërsa sezonin e fundit doli nga hija e Ronaldos, për t’u bërë partneri më i mirë i Kristianos.
“Tek Juventusi ne po mendojmë për titullin numër 10 radhazi,- tha sulmuesi argjentinas, vetëm pak ditë pasi u fitua titulli i 9-të radhazi, – natyrisht, më parë duhet të mendojmë për Lionin. Na pëlqen të fitojmë, kjo dëshirë na çon përpara. Na ndihmon fakti se kemi lojtarët më të mirë në botë”. Nënkuptimi është për CR7-ën, por gazetarët do të thumbonin duke thënë se e ka fjalën edhe për vete. Dibala e di se është i privilegjuar sepse është futbollist. “Njerëzit dëgjojnë më shumë futbollistët sesa presidentët dhe kryeministrat”, – thotë ai.
Sfidanti.al