Futbolli dhe spiunazhi, shefja e Çelsit akuzohet në Gjermani!

As ky sport nuk i shpëton njërit prej profesioneve më të vjetër në botë, pra vjedhjes. Nuk është vetëm SHBA që akuzon sot Kinën, apo Kina qindra vjet më parë që akuzonte Perëndimin, por janë mediat gjermane që sulmojnë drejtoreshën e Çelsit, Marina Granovskajën, për spiunazh. Sipas raporteve nga Gjermania, drejtuesja ruse e Bluve të Londrës ka hulmuar fuqishëm lidhur me dobësitë e mundshme të drejtuesve të Leverkusenit, për t’i shfrytëzuar në bisedimet për transferimin e mundshëm të Kai Havercit në “Stemford Brixh”.

Granovskaja, sipas lajmeve nga Gjermania, ka biseduar me shumë agjentë të lojtarëve, të cilët kanë pasur punë me Rudi Fëlerin apo Fernando Karron, që drejtojnë punët tek Leverkuseni. Rusja njihet si biseduese e fortë kur vjen puna tek transferimi i lojtarëve, dhe mediat britanike e vlerësojnë lart në rolin që luajti në kalimin e Eden Hazarin tek Reali i Madridit, duke marrë maksimumin e mundshëm nga kartoni i belgut. Nuk dihet nëse do të ketë pasoja nga akuzat për spiunazh që po i bëhen Granovskajës.

Sfidanti.al