Tallja e Sarrit me kritikët, dhe planet për Juventusin e ardhshëm!

Në gojë është pak si shumë i pistë për stilin e Juves, por nuk largohet shumë nga një si Xhenaro Gatuzo. Mauricio Sarri është italian popullor, tipik i rritur në zonat e Jugut, ndonëse ka punuar në bankë, ndërsa zhargoni i tij tani si trajner futbolli i ka krijuar jo pak armiq në Torino. Kritikat kanë qenë të shumta për të këtë sezon, por tekniku napolitan nuk ngurron të përgjigjet se “më kritikojnë sepse ndoshta i kam shkelur ko..et” disave”. Pas kësaj përgjigjjeje “vendçe”, Sarri pyetet për ndeshjen ndaj Udinezes që mund të jetë vendimtare për titull. “Do të luajmë për fitore, – thotë ai, – si zakonisht. Kryesorja është që skuadra po rritet fizikisht dhe mendërisht”. Ndërsa pritet një tjetër provë e Kristiano Ronaldos, që kërkon Këpucën e Artë të Europës, trajneri po mendon për sezonin e ardhshëm. Mediat italiane shkruajnë se Sarri po mendon të sjellë Zhorzhinjon nga Çelsi (në foto), Milikun nga Napoli, ndërsa ka siguruar Arturin nga Barcelona. Po ashtu mund të vijë Emerson Palmieri i Çelsit, por për Zhorzhinjon mund të duhen 40 milionë euro.

Sfidanti.al