Tiranës nuk i mbarojnë hallet as me titullin, ultimatum për paratë e Ard Memës!

U largua nga drejtimi i skuadrës, por pa i marrë të gjitha. Ardian Mema arriti në atë kohë një marrëveshje siç i thuhet, xhentëlmenësh, me presidentin e Tiranës, Refik Halili, për mënyrën e zgjidhjes financiare të kontratës, dhe u ra dakord për 2.4 milionë lekë, që klubi do t’ia jepte ish-teknikut. Kaluan muajt, dhe Tirana më në fund e fitoi titullin, diçka që Mema e kishte arritur disa herë si futbollist, por ndërsa tifozët u derdhën nëpër rrugë për të festuar, diku tjetër po zhvillohej një gjyq.

Mema e kishte kërkuar të drejtën e tij në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në Federatën Shqiptare të Futbollit, dhe gjyqi përfundoi me sukses për të. Klubi, sipas burimeve në Federatë, do të jetë i detyruar t’i paguajë 2.4 milionë lekët jo më vonë se 45 ditë pas marrjes së vendimit. Një barrë financiare më shumë për presidentin Halili, i cili besohet se ka mjaft detyrime për të shlyer, duke nisur me vetë Federatën, me tatimet apo me palë të treat, diçka që shpresohet të realizohet tani që Tirana u shpall kampion dhe që pritet të marrë pjesë në Champions. Besohet se fitimet qoftë edhe minimale mund t’i afrohen 1 milionë eurove.

Sfidanti.al