Rasti “Çinari”: Partizani, duhen 80 000 euro që të shpëtosh nga FIFA!

Tjetër gjë priste, dhe tjetër i doli. Partizani shpresonte të fitonte 250 000 euro nga kartoni i Eraldo Çinarit, ndërsa tani për shkak të afrimit të tij, mund të mbetet pa përforcime për shumë muaj. FIFA paska vendosur të ndalojë kryeqytetasit që të bëjnë blerje në periudhën e transferimeve të verës dhe në atë të janarit të ardhshëm, një goditje e rëndë kjo për planet e kampionëve në fuqi të Shqipërisë për t’u përforcuar për sezonin e ardhshëm.

Shkak për dënimin është bërë transferimi i Çinarit tek Partizani në gusht të vitit 2018, në përfundim të disa lëvizjeve të shpejta të sulmuesit. Nga Vllaznia, ai kaloi tek Alaveshi në Spanjë, dhe u huazua më pas tek Istra në Kroaci, siç njoftuan edhe mediat kroate. Shkodranët në atë kohë e bllokuan kalimin e futbollistit në Spanjë, ndërsa më pas e kaluan tek Partizani për 50 000 euro. Klubi kroat, që zotërohet nga i njëjti pronar si edhe Alaveshi, e dërgoi çështjen në gjyq dhe lajmi është që e ka fituar.

FIFA, sipas drejtuesve të Istrës ka vendosur pro tyre, vendim i dy ditëve më parë, ndonëse ende jo i zbardhur. Përveç pezullimit të transferimeve në hyrje, FIFA ka vendosur edhe një gjobë prej 83 000 eurosh, e cila normalisht duhet të paguhet nga futbollisti. Gjithsesi, nëse kjo gjobë paguhet, me gjasë Partizani do të jetë i lirë për të bërë shitblerje.

Klubi i kuq thotë se do të apelojë, ndërsa bën me dijë se, në 2018, ka marrë dokument me shkrim nga Vllaznia dhe nga Çinari se ata nuk kanë detyrime ndaj palëve të treta. Gjithsesi, kjo pritet të mësohet gjatë apelimit në KAS-in e Lozanës. Çinari ka qenë një nga lojtarët më të mirë të sulmit të Partizanit, edhe edicionin e kaluar, por sidomos këtë vit, duke shënuar mjaft gola.

Sfidanti.al