Kur u kthye në stol për herë të dytë, në 12 mars 2019, trajneri madrilen u tha lojtarëve të tij: “Sezonin që vjen, objektivi numër 1 do të jetë kampionati, nuk e di nëse do ta fitojmë apo jo, por do të luftojmë deri javën e fundit”. Ishte përfundimi që Zinedin Zidan kishte nxjerrë pas sezonit të fundit në stol, para largimit, edicion që u mbyll me mrekulli, me fitoren 3-1 në finalen e Championsit ndaj Liverpulit në Kiev, por që nuk mjaftoi ta mbante në stol.
Ai vit sportiv u mbyll me vendin e tretë në La Liga, 17 pikë prapa Barcelonës kampione. Kjo nuk ishte e pranueshme për një njeri krenar si ai, ndaj vendosi të largohej. Më në fund, Florentino Perez e bindi të kthehej pasi Reali pati probleme me Lopetegin dhe Solarin, dhe pas shumë vuajtjesh, ja ku jemi. Madridi është vetëm 1 fitore larg nga titulli kampion, ai që kërkoi Zidani në mars 2019. Ende nuk e ka fituar, por e ka në dorë, me një ekip që ka bindur më shumë sesa Barcelona.
Sfidanti.al