Kalon vizitat mjekësore dhe bëhet lojtar i një emri tepër tradicional të futbollit të Bundesligës. Klaus Gjasula do të jetë pjesë e Hamburgut sezonin e ardhshëm, një klubi themelues i elitës së Gjermanisë, ndonëse edhe edicionin tjetër do të luajë në kategorinë e dytë. Tabloidi “Bild” shkruan se mesfushori i kombëtares shqiptare ka shkuar në Hamburg dhe i është nënshtruar analizave mjekësore. Ai do të largohet me parametër zero nga Paderborni, pasi i përfundon kontrata, ndërsa skuadra e tij gjithashtu ra nga kategoria.
Gjasula, një nga futbollistët më luftarakë të Bundesligës vitin që kaloi, vlerësohet për aftësitë e tij në fazën mbrojtëse në mesfushë, ndonëse arriti të shënonte edhe dy gola. Ai vendosi rekordin historik të kampionatit me 17 kartonë të verdhë në një sezon të vetëm. Hamburgu, ndërkaq, është një nga ekipet më të shquar të Gjermanisë, me 6 tituj kampion, 3 Kupa e 3 Superkupa, dhe po ashtu ka shkëlqyer në Europë duke fituar Championsin në 1983 e Kupën e Kupave të Europës në 1977.
Sfidanti.al