Partizani, “as mish, as peshk” me koronavirusin, derbi i kryeqytetit “në hava”!

Një precedent e kemi dhe e kaluam me sukses. Ishte e përfshirë sërish Tirana, por edhe në atë rast, si lojtar pasiv, ndërsa përpara ndeshjes në Ballsh për Superligën një lojtar i vendasve rezultoi pozitiv me koronavirus. E njëjta situatë edhe sot, me dy futbollistë të Partizanit që dolën pozitivë pas testimeve, ndërsa këtë të premte është planifikuar derbi i kryeqytetit, gjithnjë për kampionatin. Këta ishin mbrojtësi rumun Boldor, dhe mesfushori Ferati.

Klubi i kuq menjëherë veproi në bazë të protokollit sanitar, duke realizuar testimet për të gjithë futbollistët, stafin teknik si dhe për punonjësit e tjerë që kanë qenë pranë skuadrës. Testimet janë bërë në hotelin e pajtuar nga klubi, “Vila Park”, në orën 22:30 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa pritet përgjigja.

Nëse të gjithë lojtarët e tjerë dalin negativë, atëherë derbi me shumë gjasa do të luhet, ashtu siç ndodhi edhe me ndeshjen Bylis-Tirana, kur doli pozitiv lojtari vendas, Qardaku, por pjesa tjetër e ekipit nuk ishte e infektuar. Federata Shqiptare e Futbollit, për momentin, nuk është prononcuar zyrtarisht por burime brenda saj bëjmë me dijë se po pret përgjigjet e testeve, dhe se qendrimi është që të respektohet protokolli i dakordësuar me Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale.

Trajneri Sormani, ndërkaq, ende nuk e ka vendosur se çdo të bëjë me skuadrën, e cila as nuk mund të stërvitet sipas rregullave, pasi përgjigjet e testeve nuk kanë dalë. Tek Tirana, gjithashtu, nuk ka reagim zyrtar, por kryesuesit e Superligës duan që derbi të luhet, pasi të sigurohet që pjesa tjetër e skuadrës së Partizanit është e shëndetshme.

Sfidanti.al