Ishin vite të lavdishme, nga 2008-ta deri në 2015. Për 7 vjet Barcelona fitonte në Spanjë, në Europë e në të gjithë botën, udhëhequr nga treshja Mesi-Ksavi-Iniesta, e duke pasur në stol trajnerë si Pep Guardiola e Luis Enrike. Pas fitores së 4 trofeve në Champions, bashkë me atë në 2006, e pas dominimit në La Liga me 10 tituj në 15 vitet e fundit, duket se gjithçka po shkon për poshtë.
Lionel Mesi, i acaruar me drejtuesit e klubit dhe me trajnerin Kike Setien, duket në prag të një largimi të bujshëm. Ata që nuk e kanë kujtesën të gjatë, kujtojnë dështimet e këtij sezoni, si dy barazimet me Seltën e Atletikon e Madridit, që praktikisht ia dorëzuan kampionatin Realit, por nëse hedh sytë më prapa, gjen një datë tjetër.
Ishte korriku i 2015-ës, dhe pas zgjedhjeve në klub, u deklarua emri i fituesit. Zhozep Martia Bartomeu u bë presidenti i ri. Aty nisi edhe rënia, dhe asnjë Champions nuk është fituar që nga zgjedhja e tij, ndonëse sundimi në Spanjë vazhdoi. Sot, as ky nuk ekziston më.
Por, a pritet me të vërtetë të largohet Lionel Mesi? Kontrata e tij vërtet përfundon në 2021, dhe ai ka një klauzolë te veçantë që e lejon të ikë kur të dëshirojë. Edhe më parë, ka pasur zhurmë të madhe mbi braktisjen nga argjentinasi të familjes, siç e quan ai Barcelonën. Gjithsesi, në Spanjë dhe në Europë, ekziston një bindje se kapiteni nuk do të nxitohet.
Bartomeu i jep fund mandatit në 2021, pra vitin tjetër. Do të ketë zgjedhje, dhe është thuajse e sigurt se presidenti do ta largohet. Me shumë gjasë, do të kthehet Zhoan Laporta, njeriu që krijoi Barceloonën e madhe të Guardiolës, Mesit, Ksavit dhe Iniestës. Me ardhjen e tij të dytë, në “Kamp Nou” pritet të ketë një tjetër projekt fitues. E vërtetë që Mesi sot është 33 vjeç, dhe në 2021 do të jetë 34, por nëse shikon të tillë si Ronaldo apo Ibrahimoviç, ata vazhdojnë në nivele të larta edhe shumë më të mëdhenj se ai.
Sfidanti.al