Setien pranë largimit; Barcelona, ‘audicione’ për trajner për sezonin e ardhshëm

Me 4 pikë më pak se Reali i Madridit, një kampionat të kompromentuar, Griezmannin të izolouar e për më tepër me Messin që nuk është më i sigurt për qëndrimin e tij, Barcelona ka identifikuar ‘dashin për kurban’ të saj. Quhet Quique Setien, që mbërriti në skuadër në fillim të 2020 dhe tani e sheh veten me valixhet të bëra gati, për t’u larguar nga pankina blaugrana.

Nëse Setien nuk do të rezistojë deri në fund të sezonit, Barcelona e ka bërë gati zgjidhjen emergjente; do të vendosë në stol, trajnerin e Skuadrës B të saj Javier Garcia Pimienta. Ndërsa për sezonin e ardhshëm, emri më i përfolur është ai i Xavi Hernandez, që u kontaktua edhe në janar nga drejtuesit e Barcelonës por që e refuzoi ofertën e saj për faktin se mendonte se nuk ishte koha e duhur për të bërë këtë hap. Por në këtë moment, ai vështirë se do t’i thotë ‘Jo’ Barcelonës.

Tjetër emër që qarkullon nga fillimi i vitit është ai i Marcelo Gallardo, trajneri i River Plate, një ndër më të kuotuarit në futbollin ndërkombëtar. Edhe Ronald Koeman është një emër i lakuar me holandezin që nuk e ka fshehur kurrë ëndrrën për t’u ulur në pankinën blaugrana. Por në të njëjtën kohë ai ka shfaqur edhe dëshirën për të vijuar punën me përfaqësuesen holandeze edhe në Evropianin e futbollit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.

Po kështu po përmendet shpesh edhe Mauricio Pochettino I cili është ende pa skuadër që pas shkarkimit nga Tottenham, por nuk duhet përjashtuar as kandidatura e Roberto Martinez që drejtoi Belgjikën drejt vendit të tretë në Botërorin e vitit 2018

Sfidanti.al