Trofeu i parë i Sarrit në Itali po vjen, Dibala-CR7 janë garancia!

Në të vërtetë, po e fiton falë punës së tij dhe faktit që ka një skuadër shumë të mirë në dispozicion, jo thjesht dy yje. Mauricio Sarri, me shumë mundësi do të jetë kampion i Italisë me Juventusin, siç e tregoi fitorja shumë e bukur në Gjenovë ndaj Xhenoas vendase. Shifrat 3-1 ishin “simfoni” e një loje kolektive, ku Pjaniç më në fund luajti shumë mirë (a thua se mezi kishte pritur që e ardhja e tij të sqarohej), dhe ku spikati treshja e sulmit, me Dibalën, Ronaldon e Dagllas Kostën. Kuptohet, tre futbollistë të fortë teknikisht, por Sarri u lumturua që argjentinasi e portugezi janë duke kombinuar më mirë.

“Po mësojnë të luajnë me njëri-tjetrin, – tha trajneri, – ndërsa Pjaniç do të luajë shumë mirë që tani deri në fund. Prova e skuadrës ishte shumë e mirë, dhe golat të mrekullueshëm”. Vota për Dibalën ishte 8, pra shumë e mirë, por edhe Kristiano Ronaldo u vlerësua me 7.5. Ai po kalon një rini të dytë, dhe fundi i sezonit po e gjen në formë shumë të mirë. Sa për tifozët dhe klubin, dihet që ata duan më shumë Championsin tani, sepse Seria A “u ka ardhur në majë të hundës”.

Sfidanti.al