Xhon Barns: Mesin apo Nejmarin? Jo, faleminderit, ne jemi Liverpuli!

Kur ishte skuadër e madhe në Europë në vitet 70-të e 80-të, nuk shkëlqente me yjet në vitrinë. Vetëm një Kevin Kigan ishte një “margaritar” i veçantë që veshi fanelën e Liverpulit, dhe fitoi dy herë Topin e Artë, ndërsa karrierën e vazhdoi tek Hamburgu. Shumica e lojtarëve ishin “Robin Huda”, futbollistë të fortë, të disiplinuar taktikisht, që jepnin shpirtin në fushë, të drejtuar nga trajnerë shumë të mirë dhe të mbështetur nga një publik i rrallë.

Xhon Barns, një nga talentet më të mëdhenj të “Anfildit”, kujton këtë filozofi, dhe thotë se kjo po vazhdon edhe me Jurgen Klopin. “Liverpuli nuk dëshiron të marrë lojtarë si Nejmar apo Lionel Mesi, – deklaroi ish-lojtari i krahut, – nuk do të bëjë shpenzime për yje të mëdhenj”. Barns, po ashtu mendon se lojtarët e tanishëm nuk do të largohen nga ekipi. “Kur del kampion i Europës dhe i Anglisë, lojtarët nuk ikin”, – tha ai.

Trajnerët e të kuqve ishin të lumtur në vitet 70-të me Rej Klemensin, Emlin Hjuxhin, Fil Nilin, Fil Tompsonin, Jan Kallaganin, Xhimi Kejsin, Stiv Hajuejn, Terri Mekdermotin apo Xhon Toshakun, pastaj Keni Dalglishin, Graem Sunesin, Alan Kenedin, Sami Li, Jan Rash, Xhon Olldrixhin në vitet 80-të, duke fituar trofe të mëdhenj.

Sfidanti.al