Man. Junajtid në gjysmëfinale të Kupës, por Roi Kin e sulmon!

Ish-kapiteni i “djajve të kuq” deklaron se për 12 muaj, skuadra e tij e dikurshme duhet ta harrojë që t’i afrohet nivelit të Liverpulit apo Mançester Sitit. Për Roi Kinin, Mançester Junajtid thjesht nuk është aq i fortë sa duhet, dhe këto komente irlandezi i bëri pas fitores së djemve të Solskjerit në çerekfinalen e Kupës në fushën e Noruiçit. Suksesi ishte 2-1 pas kohës shtesë, madje Harri Megajer shpëtoi ekipin nga telashet në minutën e 118-të, dhe Roi Kin drejtoi gishtin nga mbrojtja.

“Junajtid ka probleme në mbrojtje, – tha ish-kapiteni, – kjo do t’i pengojë të paktën për 12 muaj që t’i afrohen Liverpulit e Mançester Sitit. Ata nuk do të mund të konkurojnë. Tabela e renditjes (e Premier Ligës) nuk gënjen. Junajtid ka pak alternative në mbrojtje”. Mediat britanike theksuan se trajneri Solskjer u detyrua të hidhte në fushë “artilerinë e rëndë” për të thyer Noruiçin, pra lojtarët e stolit nuk janë aq të fortë sa ai mendonte dhe shpresonte. Mançester Junajtid është për momentin jashtë zonës Champions, ndonëse viti 2020 ka qenë i mirë, me Bruno Fernandesin, Harri Megajerin, Rashfordin, Marsialin e tani kthimin e Pol Pogbasë nga dëmtimi.

Sfidanti.al