Këtë herë nuk ishte futbolli “metal i rëndë”, “heavy metal”. Nuk mund të jetë gjithnjë kështu, e sidomos për filozofinë e lojës së Jurgen Klopit, që kërkon që lojtarët e tij të jenë në maksimumin e formës. Në “Gudison Park” ndaj Evertonit, nuk ishte Liverpuli i zakonshëm, dhe u duk si ndonjë Barcelonë e Guardiolës, kur sulmonte e sulmonte, dhe nuk çante dot mbrojtjet e Zhoze Murinjos apo të Çelsit. Gjithsesi, Klopi është simpatik sepse është i sinqertë dhe kjo është një arsye që Liverpuli është në prag të fitores së titullit.
“Nuk merituam më shumë se një pikë, – u shpreh Klopi, – nuk u treguam të zgjuar sa duhet. Jam i kënaqur me karakterin dhe energjinë e skuadrës, që u përpoq deri në maksimum për të marrë fitoren. Ishte e vështirë, pasi të dyja skuadrat e luajtën si derbi, edhe pse nuk pati spektatorë. Evertoni pati rastin më të pastër, kjo është e vërteta, po ashtu u mbrojt shumë mirë. Nuk mund të mendojmë se do të na shpëtojë gjithnjë Alisoni, por gjithsesi duhet të jemi të kënaqur”.
Analisti i “Deili Meilit”, Martin Samuel, theksoi se Klopi duhet të jetë i lumtur që çështjen e titullit e kishte zgjidhur para ndalesës së koronavirusit, sepse Liverpuli i tij u duk pa frymëzim në një derbi që nuk pati furinë dhe zallamahinë e tifozëve.
Pavarësisht nga zhgënjimi i pjesshëm në derbi, sërish kryesuesit e Premier Ligës janë në pozita shumë të mira, dhe madje një paraqitje e tillë mund t’u lejohej. Liverpuli ka 83 pikë, 23 më shumë sesa Mançester Siti i vendit të dytë dhe asgjë nuk duket se mund t’ia rrezikojë titullin e parë pas 30 vjetësh. Për më shumë, Klopi ishte pa dy titullarë të rëndësishëm si Salah e Robertson, të cilët pritet të kthehen në sfidën e radhës, atë ndaj Kristël Palasit.
Sfindati.al