Shënoi sërish, ndonëse nuk doli fitues nga fusha. Armando Sadiku e ka të fituar sfidën me futbollin spanjoll, të paktën në Ligën e dytë të tij, pasi po udhëheq skuadrën e tij Malagën, në një sezon të vështirë. Goli i radhës ishte në portën e Estremadurës, veçse përballja e javës në stadiumin e Malagës përfundoi në barazim 1-1, pasi miqtë goditën në fund.
Ishte një ndeshje pa praninë e shqiptarit tjetër, Keidi Bares, sepse mesfushori kuqezi ishte përjashtuar me karton të kuq në sfidën e javës së kaluar në fushën e Tenerifes, ndeshje që përfundoi pa gola. Duke u kthyer te Sadiku, mund të thuhet se në moshën 29-vjeçare sulmuesi ka arritur pjekurinë e plotë të karrierës. Pak ditë më parë, ai shënoi një tjetër rrjetë, pasi iu besua ekzekutimi i një 11-metërshi në duelin po në Malagë ndaj Hueskës, që në fund u fitua nga miqtë me shifrat 3-1.
Sadiku ka 12 gola këtë sezon në La Liga Sefunda, duke qenë një gol larg Nunjezit të Almerias që është në vendin e pestë, dhe dy gola larg Stoiçkovit të Alorkonit, që është në vend të katërt, në renditjen e shënuesve. Kryeson Stuani i Gironës me 23 rrjeta. Pavarësisht kontributit të shqiptarit, Malaga ka vetëm 40 pikë në 34 ndeshje, duke shënuar gjithsej vetëm 29 rrjeta, dhe rreziku për të rënë nga kategoria ekziston.
Sfidanti.al