Liverpuli vërtet mund të mbështetet tek 55 000 tifozët në “Anfild Roud”, por Mançester Siti gjithashtu do të ketë ku të mbështetet kur të vizitojë stadiumin e famshëm sot pasdite vonë për takimin e Premier Ligës. Sergio Aguero duket se është gati për të luajtur dhe në formë shumë të mirë, ndonëse vuajti 4 ndeshje pezullim pas kartonit të kuq ndaj Çelsit. “Ai është gati, – u shpreh Guardiola, ndërsa afron ndeshja në orën 18:30, – ai erdhi në formë të mirë nga Argjentina dhe ne jemi të lumtur që ai u kthye”. Aguero ka munguar gjithsej 7 ndeshje këtë sezon në kampionat, pasi u pezullua për 3 të tilla në shtator.
Guardiola dhe Klop do të kenë sot një përballje vërtet të madhe, aq më tepër që skuadrat e tyre janë pretendente për titullin kampion. Në Gjermani, ata u ndeshën 8 herë dhe përfunduan me nga 4 fitore secili. “Kam qenë me fat që jam ndeshur me një trajner si Klopi, – tha katalanasi, – mendoj se e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, por e kaluara nuk do të ndikojë në ndeshjen e sotme. Duhet të jemi në gjendje të luajmë po aq shpejt dhe me intensitet sa Liverpuli”. “Redsat” janë në vend të dytë në Premier Ligë me 40 pikë, ndaj 39 të Sitit.