Koha është mjekimi më i mirë, por edhe treguesi kryesor. Adolfo Sormani vërtet nuk ka një periudhë shumë të gjatë në stolin e Partizanit, e kjo për shkak të pandemisë së koronavirusit, por gjithsesi bilanci i trajnerit nuk është aspak për t’u pasur zili. Disfata ndaj Skënderbeut në kryeqytet ishte e 6-ta në Superligë për italianin, në 10 ndeshje që ka qenë në stol, ndërsa numrin e fitoreve e ka sa gjysmën e humbjeve. Përveç kësaj, kampionët në fuqi janë eleminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë.
Golat e Gripshit e Ditës ishin një goditje e rëndë për një skuadër që nuk luajti keq futboll, por që pësoi dështimin e katërt radhazi. Burime në klubin e kuq bëjnë me dijë se vërtet nuk ka ultimatum për Sormanin, por gjithsesi presidenti Demi pret kthesën që në ndeshjen ndaj Kukësit. Për Partizanin është e disata herë që luan mirë, por që nuk merr frytet e asaj që jep në fushë. Kështu i ndodhi në derbin e humbur keqazi, 1-5 me Tiranën. Po kështu ndaj Teutës, Vllaznisë e tani kundër Skënderbeut.
Trajneri e cilësoi si mungesë të karakterit e të personalitetit, pra pretendon se në skuadër nuk ka lojtarët e duhur. Ai i ka kërkuar klubit që t’i japë kohë dhe t’i besojë ekipin për sezonin e ardhshëm, ndërsa gjatë verës do të ketë ndryshime. Gjithsesi, objektivi i vendosur nga Demi është kualifikimi për në kupat e Europës. Me katër pikë diferencë me vendin e 4-ët apo 6 pikë me të dytin, ekzistojnë shanset për t’ia dalë, edhe pse me këto rezultate do të jetë shumë e vështirë.
Ndeshjet e Sormanit në Superligë
Skënderbeu-Partizani 3-2
Kukësi-Partizani 1-0
Luftëtari-Partizani 0-3
Partizani-Flamurtari 2-0
Laçi-Partizani 1-3
Partizani-Bylis 2-2
Tirana-Partizani 5-1
Partizani-Teuta 0-1
Vllaznia-Partizani 1-0
Partizani-Skënderbeu 1-2
Ndeshje 10, fitore 3, barazime 1, humbje 6, golat: 14-16.
Sfidanti.al