Valencia kërkon ndihmën e UEFA-s për rastin e Gasperinit të Atalantës!

Sinqeriteti shpesh të prish punë, por ndoshta ai nuk e mbajti dot veten. Atalanta vërtet e fitoi në fushë kualifikimin në çerekfinale të Championsit ndaj Valencias, por deklaratat e trajnerit të saj, Xhampiero Gasperini mund ta dënojnë edhe me përjashtim. Të paktën kështu shpreson klubi spanjoll, i cili i është drejtuar UEFA-s nga e cila pret ndihmë në këtë rast.

Gasperini ishte shprehur pak ditë më parë për “La Gazeta delo Sportin” se kishte dalë pozitiv me koronavirus përpara ndeshjes së kthimit ndaj Valencias në të tetat e finaleve të Ligës së Kampionëve. Tekniku italian ishte shprehur edhe se ishte ndjerë keq në prag të ndeshjes, diçka që krijoi zemërim të madh në Spanjë. Klubi i qytetit autonom iberik deklaroi se prania e Gasperinit në atë ndeshje duhet të ketë ndikuar në përhapjen e koronavirusit.

Edhe autoritetet shëndetësore të krahinës reaguan ashpër, me ministren Ana Barselo që e cilësoi sjelljen e trajnerit si të papërgjegjshme, e duke shtuar se kjo e vërteton edhe një herë si të drejtë vendimin për ta luajtur ndeshjen pa spektatorë. Valencia shpreson që UEFA të ndërhyjë, dhe ndoshta edhe shpreson për një kualifikim të mundshëm, por mediat spanjolle shkruajnë se kjo gjë nuk pritet të ndodhë.

Atalanta e fitoi sfidën në fushë, madje duke triumfuar në të dyja ndeshjet, ndaj mund të ketë vetëm ndonjë gjobë apo pezullim për trajnerin, apo gjobë për klubin nëse del fajtor. Skuadra bergamaske, ku luan mbrojtësi i kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti, është e papritura më e madhe e Championsit këtë sezon, dhe një nga surprizat më të mëdha në Itali vitet e fundit.

Sfidanti.al