Masimiliano Alegri nuk do të mërzitej shumë nëse do të largohej nga Juventusi. Fjalët e dala në mediat italiane se pozitat e tij janë lëkundur pas humbjes së Superkupës ndaj Milanit, ndoshta kanë një të vërtetë tjetër, atë që vetë “Maks” po mendon për një eksperiencë të re. Tabloidi “San” (The Sun) shkruan se Alegri ka synim të zerë vendin e Arsen Vengerit tek Arsenali. Gazeta flet nëpërmjet burimeve të saj anonime, veçse jo rrallë historitë e dala nëpër media, të hedhura poshtë nga klubet, kanë dalë të vërteta. Trajneri më i mirë italian i momentit ndoshta dëshiron të bëjë diçka të madhe me Juven, të tentojë Ligën e Kampionëve dhe të fitojë edhe një titull tjetër në Serinë A, dhe më pas të shkojë në Londër, ndërsa Venger në prill pritet të japë verdiktin për të ardhmen. Gjithsesi, tabloidi shkruan se Arsenali po “peshon” alternativat, mes të cilave edhe Simeone, Hazenhytël i Lajpcigut dhe Edi Houi i Bornemuthit.