Në një teatër të kohës së monizmit, në kohën kur u prishëm me Kinën, ishte një batutë e një kinezi që thoshte se “shqiptarët janë kokëshkëmba”. Nuk dihet nëse mund të quhet i tillë Klaus Gjasula, mesfushori shqiptar i Paderbornit, por padyshim është një rekordmen për shkatërrimin e lojës së kundërshtarit, nga ata që lënë “të kalojë topi, por jo lojtari rival”. Gjasula vendosi rekordin personal të kartonëve të verdhë në një sezon të Bundesligës, kur u ndëshkua për herë të 15-të këtë vit, në barazimin 0-0 në fushën e Augsburgut.
“Futbollisti me helmetë” është shumë pranë rekordit absolut të Bundesligës, vetëm 1 karton i verdhë larg. Gjasula është barazuar me Stefan Efenbergun, që pati gjithashtu 15 të verdhë në sezonin 1998-1999, ndërsa në vend të parë mbetet polaku Tomash Hajto me 16, edhe ai në 1998-1999. “Përshëndetje Klaus, – shkruajti Hajto në rrjetet sociale, – ju u vërsulët si një raketë. Shpresoj që ta thyeni rekordin tim, që unë të kem paqe në veten time”. Gjasula ndërhyri në këmbën e rivalit Niderlehner, ndërsa shpjegoi për “Skajin” se “unë ndërhyra me vrull dhe e godita në bazamentin e këmbës, çfarë mund të them më shumë se kaq, kështu e ka futbolli”.
Sfidanti.al