Faleminderit  COVID!  Futbolli s’varet nga i zoti , por nga “Piperot”

Ironi e fatit për “perënditë” e Superligës! Prej gati dy dekadash, bilbili i arbitrave ka qënë si llampa e Alajdinit, e cila sapo  dëgjonte zërin e të zotit…plotësohej dëshira edhe kur ngjasonte me një marrëzi! Tani, në kohën e Pandemisë, futbolli ka një zot tjetër , të cilit sa më shumë  t’i lutesh  për rifillimin e kampionatit më 3 qershor, aq më shumë frikësohet  nga kjo datë.  Dhe zoti i futbollit në këto momente  s’është as UEFA e as FIFA,  por Ministria e Shëndetsisë, e cila kur e shikon topin me syzet me xhamin e thyer i ngjason sikur është vetë..COVIDI.  Na pëlqen apo s’na pëlqen,  kishte nevojë futbolli që të falej edhe në një kishë të re. Tani le t’i mbajmë sytë dhe shpresat nga “Piperot” me bluza të bardha, edhe pse thuhet se në këtë lojë të padukshme, ashtu  si vetë virusi, topin e fundit do ta gjuajë politika. Dhe në qoftë kështu, futbolli ka arsye ta shikojë më dyshim datën  e 3 qershorit , pasi “Mesi” i  politikës, ai që dribloi pa top edhe pandeminë ,e ka blasfemuar disa herë “babën e futbollit”. Jo vetëm ia hodhi në tokë bustin me material të skaduar, që u ngrit me rastin e Europianit, por “ngriti”  një  bust me ligësi, kur tha   se futbolli është fasoneria që fshihet pas topit…

Futbolli është sporti ku ka lindur driblimi më  injorues, më turpërues , ai që në zhargonin  popullor njihet  me epitetin  e moçëm   “kalim prej shalësh”, kur topi kalon mes këmbëve. Dhe kur në fushë dalin për lojë  politika dhe  futbolli,  viktima që e pëson kalimin e topit mes këmbëve është  vetë futbolli. Aq sa  mund të thuhet se   loja bëhet e tillë sa këmbët hapen vetë, pa patur nevojë për trukim.  Edhe në këto momente epidemie,  loja na gjeti me këmbët e hapura,  të pafuqishëm për t’u përkëdhelur si në raste të tjera, me shpresën e madhe se “Piperot”  e Ministrisë , ata që luajnë pas krahëve në skemën e kësaj “lojë-lufte”,  t’i thonë popollit se futbolli nuk është si shumica që nuk mbajnë maskë  e dorashka kundër virusit, ngaqë ky sport  ka  maskën e vet , madje të kalcifikuar, për të cilën e ka marrë kaq shumë malli për ta vendosur..

G.Sinemati