“Çil e mbyll” me nisjen e Superligës, Duka nuk luan nga “istikami”, por ç’thotë “Qeveriu”?!

Ka pasur shumë fjalë këto kohë se nuk do të respektohej afati i përcaktuar. Superliga, sipas këtyre zërave, mund të shtyhej me një javë, nga data 3 qershor për në 10, por kjo gjë u hodh poshtë kategorikisht nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Në një komunikim telefonik me Abc Neës-in, numri 1 i institucionit pohoi shkurt se nuk do të ketë asnjë shtyrje. Pra, do të respektohet data 3 qershor e përcaktuar pas takimit të klubeve të elitës me Federatën, në selinë e kësaj të fundit.

Burimë në institucion bëjnë me dijë për televizionin se ditën e hënë pritet të ketë një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv, i cili do të dalë me deklaratën përfundimtare, dhe këto burime e lanë pezull mundësinë e shtyrjes. Gjithsesi, Duka shprehet i vendosur për të respektuar 3 qershorin. Dyshimet kanë qenë të mëdha për shkak të moskthimit të një përgjigjeje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse kanë kaluar kohë nga takimi i saj me drejtues të Federatës.

Palët kanë kontaktuar disa herë dhe ministria ka kërkuar kompani të specializuara për të bërë dezinfektimin e ambienteve sportive, dhe kjo ka ndodhur ose me firma private, ose me ndërmarrje bashkiake. Shqetësim më vete ka Vllaznia e cila nuk është stërvitur aspak në kohën e karantinës, ndryshe nga shumë skuadra të tjera, ndërsa trajneri Jonuz e disa lojtarë të huaj u vonuan ndërsa u kthyen në Shkodër për shkak të mbylljes së kufijve, dhe tani janë në karantinë.

Sfidanti.al