Kthimi i Ibrës, jo si kthimi i “Mesisë”, suedezi rrezikon sezonin dhe ëndrrën e Milanit!

Rikthimi i tij ishte si ardhja e dytë e Mesisë, nëse do të mund të ndodhte. Zllatan Ibrahimoviç e ktheu Milanin menjëherë në një skuadër pretendente në Serinë A e në Kupën e Italisë, veçse projekti kuqezi mori një goditje të madhe. Ylli suedez pësoi dëmtim në stërvitje dhe, ndonëse analizat nuk e bëjnë gjendjen tepër të rëndë, sërish rreziku është serioz.

Ibra nuk ka lëndim në tendinin e Akilit, por në muskujt e pulpës së këmbës së djathtë, e pas 10 ditësh do të bëhet një tjetër vizitë mjekësore. Sulmuesi, që u stërvit në Suedi tek Hamarbi gjatë periudhës së karantinës në Itali, mund të mungojë nga 10 ditë deri në 1 muaj nëse ka tërheqje muskulare, si dhe nga 1 deri në 2 muaj nëse ka këputje. Koha e rikuperimit rritet edhe më shumë për faktin se Ibra është gati 39 vjeç, dhe se sezoni në Itali do të rinisë në motin e nxehtë të verës, dhe me ngarkesë të madhe ndeshjesh.

Sipas mediave italiane, trajneri Pioli do të duhet të modifikojë skemat në mungesë të suedezit, e të luajë me 4-3-3 apo 4-2-3-1, por problemi më i madh për Milanin nuk do të jetë thjesht tek skemat, por sidomos tek ndikimi i personalitetit të Ibrahimoviçit tek shokët e skuadrës. Tifozët milanistë theksuan menjëherë me dëshpërim se lajmi i keq për suedezin erdhi në ditën kur skuadra pësoi difatën e rëndë në finalen e Championsit në Stamboll ndaj Liverpulit, kur u mund edhe pse kryesoi 3-0 në pjesën e parë.

Njëzetekatër orë më pas, “La Gazeta delo Sporti” kujtonte se 26 maji ishte dita e ndeshjes së fundit të Marko Van Bastenit me fanelën e Milanit, me yllin që u detyrua të linte futbollin për shkak të dëmtimeve. Tifozët dhe klubi shpresojnë rikthimin e ditëve të lavdishme të kohës së holandezëve, por kjo gjë duket gjithnjë e më pak e mundshme.

Sfidanti.al