Çfarë derbi, Herta-Union Berlin në stadiumin 74 000-vendësh që do jetë bosh!

Do të ishte dueli i parë në kryeqytetin e Gjermanisë në stadiumin e famshëm “Olimpik”. Për fat të keq, do të jetë një “derbi fantazmë” pasi tribunat me kapacitet 74 000 vende, do të jenë të zbrazëta, dhe Berlini nuk do të ketë kënaqësinë e një ndeshjeje të vërtetë futbolli. Unioni viziton shtëpinë e Hertës, në sezonin e tij të zanafillës në Bundesligë, por këtë fundjavë nuk do të jetë e lehtë të luhet në “Olimpia Shtadion” me vetëm 300 njerëz brenda tij.

Unioni e fitoi derbin e parë, atë të luajtur me publik në stadiumin e tij, me shifrat minimale 1-0, duke qenë “zot i qytetit” të paktën për disa muaj. Të shohim sesi do të jetë përballja e dytë, ndërsa Bundesliga ka një javë që ka rifilluar pas ndërprerjes për shkak të koronavirusit. Gjithsesi, sfida e nëntorit ishte e tmerrshme, me shpërthimin e dy tifozerive, aq sa menaxheri i përgjithshëm i Hertës, Mikael Prec, e quajti “një ditë krejtësisht të zezë”.

Sfidanti.al