Ishte paralajmëruar se mund të kishte probleme, ndonëse në Gjermani nuk pati të tilla, pavarësisht të disa rasteve me koronë. Në Premier Ligë u duk që në fillim ndryshe, dhe ja ku doli “kryengritësi” i parë, N’Golo Kante i Çelsit. Mesfushori francez refuzoi të dilte në stërvitje nga frika e virusit, dhe trajneri Frenk Lampard deklaroi se e kuptonte dhe se i qendronte në krah.
Natyrisht nuk është ndonjë veprim heroik, që mund të barabitet me guximin e piratëve e pionierëve të kolonializmit britanik në shekuj, është thjesht reagimi i një njeriu që e do jetën dhe familjen, dhe që ka çfarë të humbasë. Në kohën kur u diskutua Ligji Bosman, që i dha liri shumë më të madhe futbollistëve, përfaqësues të sindikatave futbollistike u shprehën se lojtarët e sotëm janë “skllevër modernë”, ndërsa një drejtues i lartë apo opinionist u shpreh se “nëse Spartaku do të kishte marrë 100 000 paundë stërlina në javë, nuk do të bënte fare kryengritje”. Gjithsesi, sot është çështje ekzistenciale, çështje jete, dhe Kante më mirë humbet rrogën sesa jetën.
Sfidanti.al