Mbajeni mend këtë emër, Bilbao i përkulet Ariz Adurizit!

Një sulmues race, dhe një djalë shtëpie, i tillë ishte futbollisti që do të mbyllë karrierën në moshën 39-vjeçare. Ky është Ariz Aduriz, që jo më kot cilësohet si legjendë e Vendeve Baske, dhe që nuk arriti dot të luajë finalen e Kupës së Mbretit ndaj Sociedadit. Nuk e kishte fituar kurrë në jetën e tij trofeun e shtrenjtë, dhe kishte qenë finalist ndaj Barcelonës disa vjet më parë. Gjithçka që fitoi ishte një Superkupë e Spanjës, por më shumë mori dashurinë dhe respektin e tifozëve, jo vetëm në Bilbao, jo vetëm në Vendet Baske, por në të gjithë Spanjën, pse jo edhe në të gjithë Europën.  Ai luajti tri herë me Atletikun, gjithsej 182 gola në mbi 400 ndeshje, ndërsa në total pati rreth 300 rrjeta në gati 800 dalje në fushë.

Aduriz u ndalua përfundimisht nga një dëmtim që u bë i shpeshtë. “Koha erdhi, – shkruajti ai në deklaratën e lamtumirës, – shumë herë kam thënë se futbolli do të të braktisë, përpara sesa ti ta braktisësh atë. Mjeku më tha se duhet të bëj operacion dhe të jetoj jetën time sa më normalisht të mundem. Për fat të keq, trupi im ishte ai që tha “mjaft”. Nuk mundem t’i ndihmoj shokët siç do të kisha dashur, dhe siç e meritojnë, por kjo është jeta e një profesionisti të sportit. E thjeshtë, fare e thjeshtë”. Ai pati 13 ndeshje për Spanjën dhe shënoi 2 gola.

Sfidanti.al