E kuptoni që është fjala për Paris SG, klubin më të fuqishëm financiarisht dhe sportivisht të Francës, që synon të bëhet një gjigand i Europës. Sheikët që kanë blerë aksionet e dinë se kjo mund të arrihet duke investuar, nëse nuk ke një plan afatgjatë, apo një histori ku të mbështetesh, ndaj edhe atyre u bëjnë punë yjet e mëdhenj. Fillimisht, ata morën Zllatan Ibrahimoviçin, që në atë kohë pati probleme tek Barcelona dhe kaloi tek Milani. Më pas, erdhi një ikonë globale si Dejvid Bekam, që endihmoi PSG-në të rritej sidomos në imazh dhe në të ardhurat e sponsorizimeve.
Goditja e madhe ishte ajo e afrimit të Nejmarit nga Barcelona dhe Kilian Mbapesë nga Monako, për një shumë që është dhënë prej 400 milionë eurosh, në mënyrë të kombinuar. Tashmë, ambicia e parizienëve është për një tjetër superyll. Nëse nuk ia dalin dot me Lionel Mesin, që është me “numër shasie” veçse katalanase, pse jo të kërkojnë Kristiano Ronaldon, që është mësuar të bredhë “lule më lule”. Pas Sportingut, Man. Junajtidit, Realit, pse të mos largohet edhe nga Juventusi? Nuk janë ëndrra të një nate vere, por plane që mund të realizohen ndoshta pas 1 ose 2 vjetësh.
Sfidanti.al