Të rejat e fundit nga Bundesliga, si luajnë Bajerni e Dortmundi!

Kur mungojnë tifozët, kjo mund të ndihmojë ekipin mik, dhe sidomos ekipin me më shumë përvojë dhe të mësuar me presionin. Identikiti i këtij ekipi është ai me emrin Bajern. Bavarezët do të jenë të dielën në orën 18:00 në fushën e Unionit të Berlinit, dhe ndonëse kanë disa mungesa, pritet të fitojnë thellë. Parashikimi i “Bildit” është 3-0. Trajneri Flik nuk do të ketë Havi Martinezin, Kutinjon, Tolisonë dhe Zylen, por gjithë të tjerët janë gati. Duel për një vend mes Komanit dhe Goreckës. Formacioni i Bajernit (4-5-1): Nojer, Pavar, Boateng, Alaba, Dejvis, Kimih, Tiago, Gorecka, Myler, Gnabri, Levandovski.

Duel i fortë ditën e sotme, ai mes Dortmundit e Shalkes. Mungesa e tifozëve pritet të dëmtojë më shumë Borusian vendase, dhe “Bildi” parashikon një 2-2 në derbin e Rurit. Dortmund ka Rojsin, Vicelin, Xhanin dhe Zagadunë të dëmtuar. Problem sidomos, mungesa e Xhanit dhe Vicelit në mesfushë, pasi ata bënin lidhjen edhe me mbrojtjen. Shalke ka 7 ndeshje pa fitore, me 4 pikë e 2-15 diferencën e golave. Gjithsesi lajmi i mirë është që janë kthyer të dëmtuarit Serdar, Sane e Kaligiuri. Formacioni i Dortmundit: Byrki, Pishçek, Humels, Akanji, Hakimi, Brant, Delanej, Gerrero, Sanço, Hazar, Haland.

Lajpcigu ka gjithashtu mungesa për ndeshjen ndaj Frajburgut në fushën e tij. Upamekano është i pezulluar, ndërsa Forsberg është i sëmurë. Gjithsesi, Kampl e Konate janë kthyer nga dëmtimi pas disa muajsh në infermieri. “Bildi”, papritur, mendon për fitore të miqve 2-1.

Sfidanti.al