Pizarro nuk e synon dot golin Nr. 197, karantinohet prej së bijës!

Në Bundesligë e kishin parashikuar se të papriturat mund të ndodhnin për shkak të sëmundjes së ndonjë pjesëtari të skuadrës e të klubit, apo edhe nëse infektohen anëtarë të familjeve të tyre. Nëse tek Këlni apo Dresdeni ndodhi varianti i parë, tek Verderi ngjau kjo e dyta. Sulmuesi më i shquar i skuadrës, njëri nga më të mëdhenjtë në historinë e Bundesligës, Klaudio Pizarro, do të humbasë dy javë kalendarike për shkak se vajza e tij doli pozitive për koronavirus.

Pizarro shkoi të bënte testin në klub, bashkë me gruan dhe 3 fëmijët, dhe pas vizitës mori vesh lajmin. Sulmuesi peruvian, siç janë rregullat, do të hyjë në izolim në shtëpi për dy javë. Kështu që ai do të humbasë të paktën në start të kampionatit mundësinë për të rritur numrin e tij të golave në Bundesligë. Deri tani, ai është i huaji i dytë më i suksesshëm me 196 rrjeta, i lënë pas vetëm nga Robert Levandovski. Me gjasë, do të jetë Milot Rashica, por edhe ndonjë sulmues tjetër, që do të përpiqet të bëjë detyrën që duhej ta bënte Pizarro.

Sfidanti.al