Futbollisti kroat që shkonte në stërvitje me tramvaj, e të tjerët me makina!

Nuk është histori e sotme dhe nuk ka lidhje me luksin e tanishëm të topkëmbës. Asokohe ishte ndryshe, por sërish futbollistët mund të thuhet se dalloheshin nga të tjerët, edhe pse ishin vitet 50-60-të. E përditshmja kroate, “Jutarnji List” e Zagrebit, na kthen në kohë më shumë se 60 vjet, duke rikujtuar një futbollist që e quan “të madhin e harruar”, me emrin e thjeshtë Zheljko Perushiç. Mbrojtës krahu, që shkëlqeu me Dinamon e Zagrebit dhe TSV 1860 Mynihun, dhe që cilësohej si një maratonomak i palodhshëm.

“Ti je gjithmonë aty ku është topi”, – i tha një shok skuadre. “Po, jam gjithnjë aty, dhe kjo është cilësia ime më e mirë”. Perushiçi ishte nga ata që, dikur përshkruheshin si “të parët në sakrifica, të fundit në pretendime”. Njerëzve të tillë, tepër të mirë, tepër modestë dhe që nuk sjellin probleme, nuk ua dinë vlerën, jo më kot thuhet “reklama shet mallin”. Perushiçi ishte i tillë, siç thotë gazetari kroat Anton Samovojska, që kur lojtarët e tjerë të Dinamos shkonin në stërvitje me makina personale, ai shkonte me tramvaj.

I zemëruar nga nënvleftësimi, “u arratis” në Gjermani ku u bë pjesë e TSV 1860 Mynihut, duke refuzuar Barcelonën. Fitoi 100 000 dojçmarka në vit, aspak keq, doli kampion i Gjermanisë në 1966, duke u zgjedhur në ekipin e vitit, e duke u quajtur më i miri i huaj i Bundesligës. Formacioni ishte: Bernhard, Hadjeman, Fogts, Marks, Bekenbauer, Perushiç, Libuda, Kremer, Rup, Netcer, Emerih. Vitin e dytë pati vlerësimin 1.76 (i treti i Bundesligës) e të tretin 1.90 (i pesti). Në derbin ndaj Bajernit mbuloi me sukses Gerd Mylerin. Në moshën 84-vjeçare ai mbahet ende i fortë, ndërsa më shumë e njohin në Gjermani sesa në Kroaci.

Sfidanti.al