Gjermania izlon gjithë skuadrën, por Protokolli shqiptar izolon vetëm lojtarin!

Nga takimi i parë dolën me një farë shprese. Gjithsesi, nuk paska qenë e thënë që ky optimizëm i Federatës Shqiptare të Futbollit të përligjej, pasi përballja e dytë me Ministrinë e Shëndetësisë, nuk solli lajme të mira. Në takimin e zhvilluar në nivel ekspertësh, qeveria nuk ka mbetur plotësisht e kënaqur me Protokollin Sanitar të përpiluar nga Federata, duke i bërë disa vërejtje.

Nuk ka hollësi se çfarë vërejtjesh ishin ato konkretisht, por besohet se kanë të bëjnë me rritjen e masave të sigurisë për koronavirusin në stadiume. Me gjasë, Ministria duhet të ketë kundërshtuar pikën në Protokoll ku parashikohet se, në rast infektimi, në karantinë duhet të hyjë vetëm lojtari i prekur, dhe jo e gjithë skuadra. Kjo është krejt ndryshe nga çfarë parashikon Protokolli në vende të tjera, si p.sh. në Bundesligë, ku skuadra e Dresdenit hyri 2 javë në karantinë sepse u zbuluan 2 apo 3 raste pozitivë.

Ministria bëri me dijë se data e parashikuar për rifillimin e stërvitjeve mbetet 18 maji, që drejtuesit e futbollit e quajnë tepër të vonshme. Presidenti i Federatës, Armand Duka është shprehur se sezoni duhet të rinisë në qershor, ndryshe do të jetë e kotë që të luhet. Në emër të institucionit që drejton, ai shprehu pakënaqësi ndaj qeverisë shqiptare për mënyrën sesi e ka trajtuar krizën e koronavirusit në sport.

Pritet që të ketë edhe një takim të tretë mes Federatës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ku të paraqitet Protokolli i përmirësuar, e ndoshta të jepet leje për të nisur fillimisht stërvitjet, e pastaj edhe kampionatet.

Sfidanti.al