I pari që u shpall i sëmurë ishte i Atletikos së Madridit. Futbollisti brazilian, Renan Lodi, ishte ai që shkaktoi tronditjen fillestare në La Liga, pasi doli pozitiv për koronavisur në testimet që po zhvillohen në Spanjë. Edhe pse mbërriti krejtësisht i qetë në qendrën stërvitore, ai u diagnostikua me virus, ndërsa 9 lojtarë të tjerë po të Atletikos u kuptua se e kishin kaluar këtë sëmundje, por ishin shëruar. Kjo, sepse në gjakun e tyre kishte antitrupa të krijuar nga organizmi për të luftuar virusin, diçka që e kishin bërë me sukses.
Nuk përfundon me kaq, pasi ja ku vjen një tjetër rast, madje i një emri tepër të njohur. Ky është mbrojtësi francez i Barcelonës, Samuel Ymtiti, që u testua pozitiv, ndërsa vazhdonte stërvitjen individuale në kompleksin sportiv, “Joan Gamper”, ashtu si edhe shokët e tjerë të skuadrës kampione të Spanjës në fuqi, si dhe kryesuese të La Ligës. Mediat spanjolle njoftojnë se pozitiv ka dalë edhe portieri i Real Sociedadit, Aleks Remiro. Njëzetepesëvjeçari është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës që ndodhet në vendin e katërt në renditje, dhe që ka arritur në finalen e Kupës së Spanjës.
Një tjetër lojtar i konfirmuar pozitiv, sipas mediave, është mesfushori venezuelian i Granadës, Jangel Herrera. E gjithë kjo situatë mund të rrezikojë seriozisht planet për rifillimin e La Ligës, dhe të futbollit në përgjithësi në Spanjë. Ende nuk ka një datë, ndërsa skuadrat janë kthyer në stërvitje individuale, e shpresojnë të kalojnë në seanca kolektive, për të bërë të mundur sa më shpejt përfundimin e sezonit.
Sfidanti.al